Policët në veri me paga të dyfishta

Prishtinë | 20 Tet 2016 | 13:29 | Nga

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka bërë të ditur se policët serb të cilët janë pjesë e Policisë së Kosovës e që të njëjtin veprojnë në veri të Mitrovicës, marrin paga edhe nga shteti i Serbisë.

Sipas Halitit, ata përveç se marrin paga të dyfishta, të njëjtin kanë edhe uniformat shtesë të policisë së Serbisë të cilat i mbajnë nëpër shtëpitë e tyre.

Këto komente nënkryetari i kuvendit i ka bërë gjatë takimit me delegacionin e Lëvizjes Evropiane Daneze të cilët e vizituan Kuvendin e Kosovës, transmeton “zeri.info”.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Lëvizjes Evropiane Daneze i kanë bërë pyetje të shumta Xhavit Halitit në lidhje me shtrirjen e sovranitetit dhe ndikimin e institucioneve të Kosovës në veri të vendit, zhvillimin e dialogut me Serbinë, avancimin dhe progresin që ka arritur ky dialog në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, raporteve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës etj.

Duke iu përgjigjur pyetjes së njërit nga anëtarët e kësaj lëvizjes në lidhje me kontrollin që e kanë institucionet e Kosovës në veriun e Mitrovicës, si dhe ndonjë ndryshimi të mundshëm të kufijve të Kosovës dhe Serbisë, Haliti e ka pranuar se Kosova nuk e kontroll atë pjesë të vendit. Ndërkaq, sipas tij, ndryshimi i kufijve është i pamundur, sepse, bashkësia ndërkombëtare ia njeh Kosovës kufijtë e vitit 1974, dhe një ndryshim të tyre e ndalon edhe Kushtetuta e Kosovës.

“Është e vërtetë që Kosova nuk e kontrollon pjesën veriore të Mitrovicës, veçanërisht atë pjesën sipër Ibrit. Por është edhe një e vërtetë tjetër që bashkësia ndërkombëtare i ka njohur kufijtë e Kosovës ata që kanë qenë në vitin 1974. Ne e dimë se shteti serb paguan paga të dyfishta edhe për policinë e cila punon në uniformat e Kosovës në veri, po ashtu kemi informacione se ata kanë edhe uniformat shtesë të Serbisë që i mbajnë nëpër shtëpitë e tyre për ndoshta një rast të veçantë kur mund të ju nevojiten atyre që t’i veshin. Fuqia e jonë është e tillë dhe po besoj që sigurinë në veri dhe raportet mes veriut dhe jugut i ka garantuar dhe po vazhdoj t’i garantoj KFOR-I. Unë shpresoj që nuk do të ketë trazira, nuk do të ketë probleme në mes shqiptareve dhe serbëve”, ka thënë Haliti.

Ndërsa, ai është pyetur edhe rreth raporteve të cilat i kanë Kosova dhe Shqipëria si dhe rolin e të dyja shteteve në arenën ndërkombëtare për të ndihmuar njëra-tjetrën në anëtarësimin e tyre në strukturat evropiane.

Haliti ka thënë se fuqitë e Kosovës dhe Shqipërisë janë të vogla dhe së nuk është se kanë ndonjë rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

“Ajo që Kosova është e fokusuar është që vendet e BE ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe mendojmë qe roli i Shqipërisë nuk është aq i madh që të ndikoj të vendet që nuk e kane njohur. Nuk ka ndonjë politikë të përbashkët siç pretendohet ajo e një Shqipëri të madhe”, ka thënë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës.

Ai ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ku dhe ka kërkuar nga ky delegacion i Lëvizjes Evropiane Daneze që ta ndihmoj Kosovën në këtë që edhe vendi ynë të jetë pjesë e diskutimeve e të gjitha çështjeve të cilat janë në Këshillin e Evropës.

Ndërkaq, në fund Hailti e ka njoftuar këtë delegacion edhe me zhvillimin e jetës parlamentare në Kosovë.

Ai ka bërë të ditur se pas një periudhe të gjatë dhe skenave jo të mira që kanë ndodhur nga partitë opozitare në kundërshtimet e tyre për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi si dhe asaj të Asociacionit, tanimë Parlamentit të Kosovës iu ka kthyer normaliteti dhe të gjitha subjektet politike në kuvend janë duke bashkëpunuar dhe punuar normalisht.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme