Polici goditi me grusht në bark qytetarin në protestë, Skënder Hita pezullon efektivin e “Shqiponjave”

Prishtinë | 14 Sht 2026 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Disa qytetarë kanë zgjedhur të protestojnë këtë mëngjes, në ditën e parë të nisjes së vitit të ri shkollor.

Një grup protestuesish po marshonin nga Zogu i Zi me flamuj në duar dhe thirrje, kur u ndaluan nga efektivët e policisë.

Disa prej tyre janë shoqëruar, madje, në një video të publikuar më poshtë shihet teksa efektivi ushtron dhunë ndaj qytetarit, raporton TCH.

Pamjet tregojnë qartë momentin kur polici grushton në bark qytetarin, i mbajtur forcërisht nga efektivët e tjerë për t’u shoqëruar në furgonin e policisë.

Pas kësaj ka reaguar edhe drejtori i përegjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili shprehet se efektivi i “Shqiponjave”.

Reagimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit

Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje ku shfaqet një punonjës policie, i cili godet me grusht një shtetas të shoqëruar gjatë tubimit të sotëm në Rrugën e Durrësit, Tiranë, pezulloi menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë, inspektor J. H., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi.

Policia e Shtetit nuk toleron asnjë veprim që kryhet në kundërshtim me ligjin dhe me standardet profesionale të punës dhe do të vijojë të reagojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje nga punonjësit e saj.

Të ngjashme