Një thirrje telefonike e vajzës 7 vjeçare për t’i dalë në ndihmë asaj, vëllait 11 vjeçar dhe nënës së tyre bëri që Policia e Kosovës të gjendeshin në një situatë mjaftë të vështirë mbrëmë në fshatin Zhur të rajonit të Prizrenit.
Si pjesëtarë të PK-së, Sami Thaqi, Jeton Hajdaraj dhe Artur Mrasori e disa të tjerë u nisën për në shtëpinë e Iran Badallit për të kryer detyrën e tyre dhe për t’i dalë në ndihmë familjarëve të cilët po përjetonin dhunë fizike nga ai.
Por në momentin kur edhe nisën detyrën e tyre, Mrasori e Thaqi e Hajdaraj u gjendën në një pozitë të vështirë pasi që Badalli i vuri në kurth duke vënë eksploziv në derën e shtëpisë. Ky eksploziv mori jetën e policit hero, Sami Thaqi si dhe i mori të pamurin policit tjetër Artur Mrasori. Ndërsa Hajdardaj mori lëndime të tjera trupore.
Lidhur me gjendjen shëndetësorë të policit të plagosur nga ky rast, Artur Mrasori, Indeksonline ka kontaktuar Dr. Shaqir Uka.
Dr.Uka deklaroi se deri në ora 14:00 sa ishte në QKUK, gjendja e përgjithshme e Artur Mrasorit vazhdon të jetë e rëndë.
Madje ai tha se gjendjen më kritike polici e ka tek pjesa e syve.
“Deri në ora 14:00 derisa isha në punë ka vazhdu me qëndru i fjetun nga barnat, i kyçur në aparaturë. Pra në gjendje stabile sa i përket perimetrave të cilat i përcjellim ne. Gjendja e përgjithshme është më tutje e rendë”, tha ai.
Doktor Uka theksoi se janë duke u munduar që të stabilizojnë gjendjen e përgjithshme të tij, por babai i Arturit, Ganimet Mrasori sot përmes mediave ka kërkuar që djali i tij të dërgohet jashtë vendit për t’ia shëruar sytë.
“Ne për momentin jemi në fazën e stabilizimit të gjendjes së përgjithshme të tij, kurse për vendimin definitiv për trajtim eventual diku jashtë vendit do ta japin të gjithë mjekët të cilët janë në këtë rast, pra nëse vendimi veç eventualisht merret në orët apo ditët në vazhdim. Për momentin nuk ka iniciativë për dërgimin e tyre jashtë vendit”, tha Dr.Uka.
Ai theksoi se dëmtimet kryesore janë në regjionin e fytyrës, gjerësisht lëndimet më të rënda janë tek shqisa e të pamurit.
Ndryshe 32 vjeçari, Artur Mrasori u dërgua mbrëmë në Qendrën Klinike Universitare në gjendje kritike ku iu nënshtruar një operacioni i cili zgjati mbi tri orë pas lëndimeve që mori në këtë aksion. Gjendjen kritike shëndetësore polici vazhdon ta ketë edhe sot.