Policia arreston të dyshuarin për sulm me bombë në Lyon

Prishtinë | 27 Maj 2019 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Policia franceze ka arrestuar të hënën dy persona, mes të cilëve të dyshuarin për vendosjen e një bombe, e cila shpërtheu javën e shkuar në qytetin Lyon, duke lënë të lënduar 13 persona.

Mjeti shpërthyes, i mbushur me vida dhe gozhdë, ka shpërthyer përpara një furre në qytet, të premten e shkuar, ka raportuar “BBC”, transmeton “Koha Ditore”.

“Njëri nga të arrestuarit, në moshën 24-vjeçare, është bombarduesi i dyshuar”, ka njoftuar prokuroria e qytetit francez, pa dhënë hollësi të tjera. Policia ishte vënë në kërkim të një çiklisti, i cili ishte parë në kamerat e sigurisë tek po e vendoste mjetin shpërthyes para furrës.

Ai shihej të bartte një helmetë dhe çantë shpine. Prokurorët antiterrorizëm po i udhëheqin hetimet për rastin, duke u koordinuar me policinë e Lyonit dhe me shërbimin e brendshëm francez të Sigurisë DGSI.

Mediet franceze kanë raportuar se i dyshuari është student i inxhinierisë teknologjike, me prejardhje algjeriane. Një burim i ka thënë agjencisë Reuters se policia e ka arrestuar atë në Lyon, pasi ta ketë ndjekur nëpër rrugë.

Të ngjashme