Policia arreston të dyshuarin që kishte shtënë me armë në një aheng gjatë gushtit

Prishtinë | 29 Nën 2024 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Policët e stacionit në Shtime pranuan një informatë se një person, më 15 gusht të këtij viti, në një aheng familjar në Shtime kishte shtënë me armë zjarri.

Në një njoftim zyrtar, policia ka bërë të ditur se kishin arritur të identifikonin të dyshuarin, mirëpo ai ishte jashtë Kosovës.

Ndërkaq, sot policia ka pranuar informatën se i dyshuari i kësaj ngjarje është kthyer në shtëpi.

“Hetuesit policor kanë shoqëruar në stacionin e policisë të dyshuarin D.SH., 32-vjeçar, dhe pas intervistimit të tij nga policët hetues, me vendim të prokurorit të shtetit, është inicuar rasti penal “Përdorim të armës së zjarrit dhe mjetit të rrezishëm”  dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve””, thuhet në njoftim.

Policia shtoi se i dyshuari është liruar për procedurë të rregullt hetimore,  ndërsa si provë materiale është sekuestruar arma e zjarrit, pistoletë, të cilën dyshohet ta ketë përdorur më datën e lartcekur.

Të ngjashme