Policia e Kosovës, sot ka kryer një bastisje në një shtëpi në Frashër të Mitrovicës, ku janë gjetur 12 aparate që dyshohet se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti për Gazetën Express, ka thënë se operacioni është kryer nga hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale, me mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë.
“Si rezultat i hetimeve është arritur të lokalizohet dhe identifikohet lokacioni, me ç’rast bastisja është realizuar në një shtëpi në fshatin Frashër të Mitrovicës. Gjatë bastisjes janë gjetur dymbëdhjetë (12) aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave”, ka thënë Zahiti.
Ai ka konfirmuar se lidhur me pajisjet e gjetura dhe veprimtarinë e dyshuar, hetuesit policor kanë identifikuar një person të dyshuar.
“Lidhur me veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e gjetura është njoftuar prokurori i çështjes i cili ka sugjeruar që me veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin dhe pajisjet e gjetura të merren autoritetet doganore”, ka thënë ai.