Policia nuk ka pritur shumë gjatë dhe disa minuta pas përfundimit të protestës së opozitës është hedhur në aksion për të arrestuar protestuesit.
Një ndër ata që është ndaluar ka qenë dhe djali i kryetarit të PD-së së Fierit Luan Baçit. Në videon e mëposhtme mund të shihni momentin kur punonjës të policisë arrestojnë djalin e Baçit, teksa ky i fundit tenton të ndalojë shoqërimin. Nga pamjet duket se djali i ish deputetit të Fierit e ka buzën të çarë, teksa vetë është shprehur se e ka goditur një polic civil.
Ndërkohë në video shihen dhe disa efektivë policie të cilët janë të maskuar, për arsye që mbeten ende të paqarta.
Nga ana tjetër Policia është shprehur se protesta e opozitës para parlamentit ka qenë tërësisht e paligjshme.
Deklarata e plote e policise:
Partia Demokratike e aleatët e saj, organizuan sot një tubim në Bulevardin
“Dëshmorët e Kombit”, i cili, në kundërshtim të plotë me ligjin, në mënyrë të
papritur dhe të pa lajmëruar, por edhe në kundërshtim me vetë kërkesën e
organizatorëve për vendin e protestës, u zhvendos në sheshin para Kuvendit të
Shqipërisë.
Gjatë tubimit të paligjshëm përpara Kuvendit, protestuesit krijuan incidente me
Policinë dhe më pas e goditën, gjatë përpjekjes për të çarë kordonin e forcave
të rendit. Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit u hodhën gurë dhe mjete të
tjera të forta. Për pasojë u lënduan dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 3
punonjës policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Edhe mes tubuesve pati të lënduar, si pasojë e efekteve të gazit lotsjellës, të
përdorur nga Policia për të prapsur turmat e dhunshme.
Menjëherë pas mbylljes së tubimit, në vendin ku pati akte dhune mbi forca e
rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë, u ngrit një grup i
posaçëm hetimor.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, grupi hetimor po punon
për identifikimin e autorëve të përfshirë si dhe dokumentimin e plotë të çdo
episodi dhune.
Punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët u angazhuan në menaxhimin e tubimit
vepruan me përgjegjësi të lartë dhe profesionalizëm, në përputhje me ligjin,
duke garantuar ruajtjen e rendit e sigurisë publike si dhe respektimin e të
drejtave të qytetarëve.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar të sigurojë zhvillimin e çdo tubimi
paqësor, duke garantuar në çdo rast, sigurinë e jetës së qytetarëve dhe rendin
publik, në respekt e zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.