Policia demanton shkrimet serbe për gjoja pengesa në rrugë dhe shkrepje të 10 plumbave ndaj policisë serbe

Prishtinë | 27 Shk 2026 | 13:24 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka sqaruar se raportime në disa media serbe se gjoja disa shqiptarë të maskuar vendosen pengesa në rrugë, e pastaj qëlluan me 10 plumba ndaj policisë serbe në zonën Madljika, siç quhet Zona Tokësore e Sigurisë në Serbinë jugore.

E në bazë të të gjitha masave të nevojshme, policia njofton se nuk ka asnjë dëshmi apo të dhënë zyrtare për ndonjë rast të evidentuar që ka ndodhur në brezin kufitar.

Komunikata e plotë:

Policia e Kosovës (PK) sqaron dhe njëherit njofton opinionin publik lidhur me disa dezinformata të publikuara kryesisht në çarqe e media serbe. Pa verifikim paraprak, janë publikuar shkrime se kinse disa persona shqiptarë të maskuar vendosën pengesa në rrugë, pastaj qëlluan me 10 plumba ndaj policisë serbe në zonën Madljika, siç e quajnë në Zonën Tokësore të Sigurisë në Serbinë jugore.

Policia e Kosovës sqaron me përgjegjësi të plotë institucionale se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore, duke përdorur të gjitha format verifikuese institucionale, duke rezultuar se nuk ka dëshmi apo të dhëna zyrtare për ndonjë rast të tillë të evidentuar apo të ndodhur në brezin kufitar të asaj zone.

Fakti që lajmi i djeshëm është i ngjashëm me atë të datës 07.02.2026, ku ishte raportuar se me datën 05.02.2026 rreth orës 16:00 ka pasur të shtëna (më shumë se 100 plumba nga armë automatike) në drejtim të Policisë së Serbisë në fshatin Parada të Kurshumlisë, territori i Serbisë, nga persona të panjohur, të cilët më pas sipas tyre, kishin ikur në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës, shton dyshimet për orkestrim të qëllimshëm të prodhimit të dezinformatave.

Bëhet fjalë për zonën e njëjtë, fshati Reqicë në territorin e Republikës së Kosovës.

Deri më tani, bazuar në të gjitha burimet e mundshme në dispozicion nuk ka asnjë konfirmim se një incident i tillë me të vërtetë ka ndodhur, si ditën e djeshme e po ashtu me datën 05.02.2026. Për të gjitha veprimet është njoftuar edhe KFOR-i.

Policia e Kosovës bashkëpunon ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë, përfshirë bashkëpunimin me KFOR-in, me të cilët kryen edhe patrullime të përbashkëta në brezin kufitar.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit kushtetues dhe njoftimin e qytetarëve e mediave me informacione zyrtare, për të parandaluar dezinformatat dhe publikimet me informata të rreme.

Të ngjashme