Policia e Kosovës ka dënuar një person me dy gjoba për kundërvajtje në komunikacion brenda një dite, në rajonin e Ferizajt, raporton Ekonomia Online.
24-vjeçari, së pari ishte dënuar me 300 euro dhe heqje të patentë shoferit për tre muaj, për tejkalim të shpëjtësisë.
“Policët e Komunikacionit Rrugor me datën 12.06.2024 rreth orës 04:49 në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj, saktësisht në fshatin Prelez i Jerlive të Ferizajt kanë ndaluar shoferin H.R(M/K) i moshës 24 vjeçar, i cili me veturë ka tejkaluar shpejtësinë, ku në zonën e kufizimit 60 km/h ka zhvilluar shpejtësi 145 km/h, ndërsa gjatë kontrollimit të dokumenteve dhe testimit me alkooltest ka rezultuar që kishte konsumuar edhe alkool 0.36 promila. Ndaj tij policia i shqiptoi një gjobë për kundërvajtje sipas ligjit të komunikacionit rrugor, me dënim 300 euro, 3 pikë negative dhe heqje të patentë shoferit për 3 muaj dhe është përjashtuar nga komunikacioni”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Mirëpo, i njëjti sërish ishte ndaluar duke vozitur pasi i ishte hequr patentë shoferi.
“Mirëpo, disa minuta më vonë shoferi i njëjtë H.R në fshatin Prelez i Muhaxherëve është ndaluar me shpejtësi 140 km/h, tani nën masën mbrojtëse, heqja e patentë shoferit dhe ndaj tij policët i kanë shqiptuar gjobën e dytë me dënim 500 euro, 5 pikë negative dhe 6 muaj heqje të patentë shoferit dhe i është konfiskuar vetura”, thekson Policia.
Me këtë rast Policia Rajonale në Ferizaj ka apeluar tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit, të mos bëjnë tejkalime të shpejtësisë dhe të mos drejtojnë veturat nën masën mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit.
Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë.