Policia e Çikagos vret një fëmijë 13 vjeç

Prishtinë | 02 Pri 2021 | 08:39 | Nga Ekonomia Online

Një djalë 13 vjeç është identifikuar si person i qëlluar për vdekje nga policia e Çikagos në pjesën perëndimore të qytetit në një rast që autoritetet e cilësuan si përleshje të armatosur.

Djaloshi i quajtur Adam Toledo vdiq nga plaga e shkaktuar nga arma e zjarrit në gjoks të hënën, tha të enjten zyra rajonale e hulumtuesit mjekësor.

Policia e Çikagos tha se një polic ishte duke u përgjigjur në një skenë ku ishin vërejtur të shtëna me armë, kur oficeri qëlloi me armë një të dyshuar, shkruan The Guardian.

“Ai ishte plot jetë. Ata thjesht ia morën (jetën)”, tha nëna e fëmijës së vrarë, Elizabeth Toledo. “Dua të di se çfarë ndodhi. Thjesht, dua drejtësi për birin tim, kjo është e tëra”, shtoi ajo.

“Oficerët panë dy subjekte në një rrugicë, njëri prej tyre iku në këmbë dhe oficerët filluan ta ndiqnin. Njëri oficer e qëlloi në gjoks. I dyshuari u shpall i vdekur në vendin e ngjarjes”, tha zëdhënësi i policisë, Tom Ahern.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë. Zëdhënësi i policisë tha se hetuesit janë duke u munduar të zbulojnë nëse adoleshenti ka qëlluar në drejtim të policëve para se të qëllohej për vdekje.

Kryetarja e Çikagos, Lori Lightfoot, tha se është e rëndësishme që pamjet e të shtënave së pari t’i tregohen familjes së djalit dhe më pas publikut sa më shpejt që është e mundshme.

Të ngjashme