Policia e Kosovës ka reaguar dhe ka menaxhuar situatat në të gjitha zgjedhjet, por edhe çështje të natyrave të ndryshme, prandaj është e gatshme t’u përgjigjet të gjitha sfidave me të cilat përballet vendi sa i përket sigurisë, tha në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti.
Duke folur për menaxhimin e sigurisë në veri të vendit, veçanërisht për planin për të dielën kur në Serbi mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, Mehmeti tha se Policia ka plan operacional që të intervenojë në çfarëdo situate që paraqitet nevoja për sigurinë e veriut të Mitrovicës.
“Deri më tani Policia e Kosovës ka reaguar në të gjitha situatat dhe ka menaxhuar situatat në të gjitha zgjedhjet në Kosovë edhe rastet tjera të çështjeve të natyrave të ndryshme. Edhe kësaj radhe Policia e Kosovës ka kapacitete ka planin operacional, janë zhvilluar edhe skenario dhe ka mundësi dhe personel që të intervenojë në çfarëdo situate që paraqitet nevoja”.
“Policia e Kosovës është e përgatitur në nivelin maksimal për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave me të cilat përballet vendi sa i përket sigurisë”.
Mehmeti tha se Policia e Kosovës ka iniciuar procedurë disiplinore te Inspektorati Policor i Kosovës sa i përket 5 eprorëve në zonën e veriut të Mitrovicës të cilët kanë marrë pjesë ditë më parë në një takim të thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton EO.
“Policia e Kosovës e ka iniciuar procedurën disiplinore, në fakt ka iniciuar procedurë te Inspektorati Policor i Kosovës që të shihet përgjegjësia e tyre qoftë përgjegjësia penale apo përgjegjësia eventuale procedurale dhe disiplinore e tyre”, tha ai.
Serbët e Kosovës do të votojnë në vendvotimet në komunat në Serbinë qendrore për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe më 3 prill.
Këto zgjedhje nuk do të mbahen në Kosovë, kjo për shkak se kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se me Kushtetutë nuk lejohet mbajta e zgjedhjeve të Serbisë.