Policia e Kosovës apelon që të shtohet kujdesi gjatë pjesëmarrjes në trafik

Prishtinë | 15 Nën 2019 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

E diela e tretë e muajit nëntor, është Dita Botërore e Përkujtimit të Viktimave në Trafikun Rrugor.

Policia e Kosovës sot ka shënuar Ditën Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Trafikun Rrugor, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, gjegjësisht Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës.

Me qëllim të përmbledhjes së aktiviteteve në shënim të kësaj dite ndërkombëtare të sigurisë, është organizuar një tryezë e përbashkët, ku janë paraqitur ngjarjet kryesore nga kjo iniciativë, vizitat dhe efektet e arritura nga aktivitetet e realizuara.

Po ashtu, duke qenë se kjo ditë shënohet ndërkombëtarisht nga shumë institucione relevante, do të shihet mundësia që edhe tek ne kjo ditë të marrë vëmendjen e duhur, me qëllim të rritjes së vetëdijes së qytetarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion rrugor.

Policia e Kosovës vazhdon të apelojë te të gjithë që të rritet vigjilenca, të shtohet kujdesi gjatë pjesëmarrjes në trafik, në veçanti te drejtuesit e automjeteve, kërkohet që të respektohen të gjitha rregullat që dalin nga Ligji mbi Trafikun Rrugor për të garantuar një siguri më të madhe
dhe për shmangien e aksidenteve nëpër rrugë.

Të ngjashme