Policia e Kosovës certifikon 21 operatorë të rinj të Njësive për Ndërhyrje të Shpejtë

Prishtinë | 04 Sht 2026 | 20:56 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka certifikuar 21 operatorë të rinj të Drejtorisë së Njësive për Ndërhyrje të Shpejtë, në një ceremoni të mbajtur në ambientet e Qendrës së Njësive Speciale “Enver Zymeri”.

Operatorët e rinj kanë përfunduar me sukses të gjitha fazat e përzgjedhjes dhe përgatitjes, përfshirë trajnimin bazik tetëjavor. Gjatë këtij procesi, ata janë përballur me një program intensiv teorik dhe praktik, me fokus në përgatitjen profesionale, fizike dhe taktike.

Trajnimi ka për qëllim zhvillimin e shkathtësive të nevojshme për reagim të shpejtë dhe veprim efektiv në situata të ndryshme operative.

Certifikatat për pjesëtarët e rinj u shpërndanë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha.

Me këtë rast, Hoxha i përgëzoi operatorët për suksesin e arritur, duke vlerësuar përkushtimin dhe angazhimin e tyre gjatë gjithë procesit të përzgjedhjes dhe trajnimit.

Ai theksoi rëndësinë e disiplinës, profesionalizmit dhe përgjegjësisë në përmbushjen e detyrave policore, veçanërisht në operacionet që kërkojnë reagim të shpejtë dhe koordinim të lartë profesional.

Të ngjashme