Policia e Kosovës e demanton Simiçin për dëmtimin e veturave: Spekulime tendencioze

Prishtinë | 01 Tet 2021 | 12:36 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka reaguar pas deklaratave të nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiç, i cili ka thënë se Njësia Speciale e Kosovës kanë dëmtuar me qëllim dhjetëra automjete të serbëve të cilat ishin të parkuara në rrugë, në pikën kufitare në Bërnjak.

Në reagimin e Policisë së Kosovës thuhet se deklaratat e Simiç janë të pavërteta dhe tendencioze.

“Policia e Kosovës (PK), me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimin tendencioz dhe të pavërtetë të Igor Simic të publikuar në rrjetin e tij social facebook, të titulluar – Primitivizëm i Njësive Speciale të Kosovës në Bërnjakë, i cili pastaj si spekulim i tillë është publikuar edhe në portalin serb Kosovo – online”, thuhet në reagim.

Policia e Kosovës tutje ka deklaruar se në këto shkrime spekulohet se kinse Njësia Speciale e Kosovës me qëllim ka dëmtuar veturat, gjatë kryerjes së ndërrimeve në pikën kufitare në Bërnjak.

“Në këto shkrime spekulohet se kinse njësitet speciale (NJSO) të PK-së, me rastin e kryerjes së ndërrimeve në kalimin kufitar Bërnjakë, me date 30 shtator 2021 rreth orës 23.30, kinse me qëllim kanë dëmtuar dhjetëra automjete private të parkuara në rrugë, sipas fotografive kinse janë gërvishtur nga zyrtarët veturat në fjalë. Duke e dëshmuar faktin se Policia e Kosovës është profesionale dhe në zbatim të ligjit, e ritheksojmë se veprimet policore ndërmerren konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, dhe nuk bie pre e provokimeve të vazhdueshme, dezinformatave dhe lajmeve të rrejshme të orientuara me qëllime të caktuara politike”, thuhet në reagimin e PK-së.

Policia tutje thotë se janë bërë verifikimet zyrtare me njësitet relevante në terren dhe është vërtetuar se këto informacione janë të pavërteta.

“Policia e Kosovës ka bërë verifikimet zyrtare me njësitet relevante në terren dhe është vërtetuar se informacionet e tilla janë të pavërteta, pasi njësitet policore në asnjë rrethanë nuk janë të përfshirë, andaj shkrimet e tilla janë spekulime, të paqëndrueshme dhe të orientuara politikisht, me qëllim të destabilizimit të situatës dhe njollosjes së njësiteve elite të Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës, edhe përkundër spekulimeve të tilla do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Simiç ka pretenduar se Njësia Speciale ka dëmtuar qëllimshëm veturat e banorëve serbë.

“Forcat Speciale dëmtuan qëllimisht dhjetë automjete private të parkuara në pronësi të serbëve. Me sa duket ata nuk mund ta fshehin zhgënjimin që qytetarët tanë nuk u përfshinë në provokime në 11 ditët e fundit dhe se sot u arrit një marrëveshje që vlerësonte interesat e njerëzve tanë. E njëjta gjë ndodhi në vendkalimin Jarinje kur automjetet private të gazetarëve u gërvishtën”, ka shkruar ai.


Të ngjashme