Policia e Kosovës godet rrjetin e trafikut të drogës, sekuestrohet mbi 1 kilogram marihuanë

Prishtinë | 06 Maj 2026 | 20:50 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të suksesshëm kundër trafikimit të narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe Doganën e Kosovës, ku është sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe është arrestuar një person i dyshuar.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni ka nisur pas pranimit të një informacioni në rrugë operative për një dërgesë të dyshuar përmes postës.

“Policia e Kosovës, përkatësisht njësitet kompetente të antidrogës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, kanë realizuar me sukses një operacion policor në kuadër të luftimit të trafikimit të narkotikëve”, thuhet në njoftim.

Pas hetimeve dhe veprimeve operative, njësitet policore kanë ndalur një automjet në rrugën Prishtinë–Prizren, në zonën e Llapushnikut.

“Gjatë zbatimit të planit taktik, rreth orës 12:20, në rrugën Prishtinë–Prizren, në Llapushnik është ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore, ku gjatë kontrollit është gjetur një pako që përmbante substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë”, thuhet më tej.

Në vendin e ngjarjes është arrestuar një person i dyshuar, i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

“Lidhur me rastin, në vendin e ngjarjes është arrestuar një person i dyshuar, i cili me vendim të prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë”, thekson Policia.

Si prova materiale janë sekuestruar mbi 1 kilogram marihuanë dhe një telefon mobil.

“Si prova materiale janë sekuestruar mbi 1 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe një telefon mobil”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme