Policia e Kosovës, nëpërmes një komunikate shtypi, ka dhënë informacion lidhur me veprimet policore të forcave të saj në pikëkalimin kufitar Jarinjë, në konkretisht rreth ndalimit të trenit nga Serbia që ishte paralajmëruar të hynte në territorin e Kosovës pa leje të autoriteteve kosovare.
“Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, lidhur me paralajmërimet e qarkullimit të trenit nga Serbia për në Republikën e Kosovës (RKS), ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit operacional, për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë e përgjithshme, në rastin konkret për parandalimin e qarkullimit të trenit ilegal për në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Referuar situatës së krijuar rreth qarkullimit të trenit, ka pasur deklarime dhe publikime të informacioneve të ndryshme në portalet dhe mediumet serbe, se është vendosur mjet shpërthyes (është minuar hekurudha) në territorin e RKS-se, ku për këtë Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saja relevante policore duke përfshirë edhe mjetet dhe pajisjet logjistike, ka ndërmarrë veprimet e saja me qëllim të identifikimit dhe sqarimit të rrethanave të krijuara, mirëpo nuk ka hasur në asnjë mjet shpërthyes në dhe përgjatë hekurudhës në territorin e RKS-së”.
PK demanton fuqishëm të gjitha deklarimet e zyrtarëve politik serb dhe mediumet serbe, të cilat kanë deklaruar dhe publikuar informacione se kinse qytetarët e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë vendosur mjet shpërthyes me qëllim të parandalimit të futjes së trenit në Kosovë
Policia thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve të saja ligjore dhe kushtetuese.
PK-ja falënderon të gjithë qytetarët e Kosovës, që nuk kanë rënë pre e dezinformacioneve të ndryshme lidhur me këtë rast, duke treguar pjekuri dhe maturi qytetare.