Pas vendosjes së masave të reja kundër përhapjes së koronavirusit nga Qeveria e Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti, përmes platformës digjitale realizoi një takim zyrtar me zëvendësdrejtorët, drejtorët e departamenteve, divizioneve, drejtorët rajonal si dhe drejtorët e drejtorive, për të diskutuar rreth realizimit të objektivave dhe planifikimeve operacionale të Policisë së Kosovës.
Referuar vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe referuar planifikimeve operacionale policore, drejtori Mehmeti kërkoi nga eprorët policorë që të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme të ndërmerren sipas vendimit të Qeverisë, “në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante, konform angazhimeve dhe detyrave sipas planit të paraparë”, njofton policia.
“Planifikimet operacionale kanë për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin dhe parandalimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat e këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë.
Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës sipas planifikimeve ka filluar me kohë realizimin e detyrave konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste, pika kufitare etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.
Policia e Kosovës, njëkohësisht apelon te të gjithë qytetarët, institucionet dhe bizneset që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit, që t’u përmbahen rregullave dhe të respektojnë masat anti COVID, në mënyrë që edhe “një herë të arrijmë t’i ulim shifrat e të prekurve dhe të mbrojmë të gjithë së bashku shëndetin publik, në të kundërtën do të merren masa ndëshkuese”, përfundon njoftimi i tyre.