Policia e Kosovës parandalon kontrabandimin e një sasie të mallrave në vlerë mbi 10 mijë euro

Prishtinë | 13 Qer 2024 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën, kanë parandaluar kontrabandimin e një sasie të mallrave në vlerë mbi dhjetë mijë euro, raporton Ekonomia Online.

Sipas organeve të rendit, në furgonin e ndaluar në rrugën Stanqiq-Gjilan, janë gjetur mallra si, dylbi teleskopi, bateri, pompa uji e tjera.

“Policia e Kosovës gjegjësisht njësia e Task Forcës – Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, gjatë zbatimit të masave për parandalim dhe luftim të kundërligjshmërisë dhe kontrabandës, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve taktike dhe operacionale në terren, me datën 12.06.2024 në rrugën Stanqiq-Gjilan ka ndaluar një automjet transportues furgon me targa vendore me drejtues B. F. (viti i lindjes 1976). Gjatë kontrollit të automjetit është vërejtur se kishte të ngarkuara disa paketa me mallra të ndryshme në vlerë mbi 10.000 € si: dylbi teleskopi, pompa uji, aparate, bateri e mallra dhe gjësende të ndryshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas PK-së, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku malli i kontrabanduar dhe automjeti sekuestrohen dhe dërgohen në terminalin doganor.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha dukurive negative dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë në raste penale”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme