Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, ka qenë pjesëmarrëse e konferencës së 44 të policisë së kryeqyteteve evropiane, që është mbajtur në Tallin të Estonisë nga data 21 deri me 24 maj 2024, raporton Ekonomia Online.
Sipas një njoftimi, në këtë konferencë bashkë me shefa të policisë së kryeqyteteve evropiane, Policinë e Kosovës e ka përfaqësuar shefi i Sektorit Rajonal për Operativë, Major Bekim Bislimi si dhe shefi i Sektorit Rajonal për Resurse, Major Driton Imeri.
“Gjatë konferencës, Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinë pati privilegjin të bëjë prezantimin mbi sfidat që paraqiten në rastet e trafikimit me armë ilegale në Kosovë dhe Ballkanin jug-perendimor, prezantim ky që u prit me shumë interes nga të pranishmit”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Tema tjera të diskutimit në këtë konferencë kanë qenë edhe shkëmbimi i eksperiencave policore me kryeqytetet evropiane me qëllim të gjetjes së mjeteve dhe metodave si dhe ndërmarrjen e masave të cilat do të ishin në funksion të koordinimit dhe ngritjes së kualitetit të bashkëpunimit në mes policive te kryeqyteteve evropiane në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative, me theks të veçantë në disa drejtime.
“Trafikimi i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe atyre të luftës, nga grupet e strukturuara kriminale, Rreziqet që lidhen me kalimin e paligjshëm të kufirit nga shtetasit e huaj dhe sfidat për riatdhesimin e tyre, Sfidat për të ardhshmen lidhur me policimin modern, përshtatja në rekrutim të gjeneratës “Z”, theksohet në njoftim.
Konferenca e 44-të, e drejtorëve të policive të kryeqyteteve Evropiane, ka mbyllur punimet me miratimin e deklaratës së përbashkët nga shtetet pjesëmarrëse, prej disa pikash të nxjerra nga temat e trajtuara dhe diskutimet e zhvilluara përgjatë gjithë konferencës.
Konferenca e radhës, të zhvillohet në vitin 2025 në Madrid të Spanjës, ndërsa në vitin 2026 në Helsinki-Finlandë.