Policia e Kosovës ka nisur hetimin e rastit të grafiteve kërcënuese ndaj presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të Prishtinë Shpend Ahmeti, deputetit të VV-së Albin Kurti dhe kreut të bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava.
Sikur shihet dhe në pamjet e Ekonomia Online, hetuesit e PK-së po kryenin hetimet në vendin e ngjarjes. Grafitet janë shkruar në muret e Fakultetit Filozofik të UP-së, besohet gjatë natës.
Lajmin për Ekonomia Online, e konfirmuar zëdhënësi i Policë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Sipas tij, Policia e Kosovës aktualisht po trajton rastin dhe po punon për të sqaruar dhe ndriçuar rrethanat e këtij rasti.
Borovci sqaroi se Policia po bashkëpunon me prokurorin e shtetit për veprimet e mëtejshme hetimore lidhur me rastin.
“Policia aktualisht po trajton rastin dhe po punon për të sqaruar dhe ndriçuar rrethanat që karakterizojnë rastin. Policia po bashkëpunon me Prokurorin e Shtetit për veprimet e mëtejshme hetimore lidhur me rastin”, tha ai.
Borovci ka sqaruar Policia ka intervistuar dëshmitaret e parë të këtij rasti.
“Aktualisht policia ka filluar me intervistimin e dëshmitarëve të mundshëm. Kërkojmë nga të gjithë të cilët kanë ndonjë informacion shtesë lidhur me rastin që ta përkrahin policinë në hetimin dhe identifikimin e personave”.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti si dhe kryetari i Bashkësisë islame Naim Tërnava janë kërcënuar me vdekje nëpërmjet grafiteve.
Persona ende të panjohur kanë shkruar grafite me porosi kërcënuese edhe me vdekje në muret e Fakultetit të Filologjisë.
Këtë akt e ka dënuar Bashkësia Islame e Kosovës e cila ka kërkuar nga organet e drejtësisë që autorët të sillen para drejtësisë.