Policia e Kosovës sqaron incidentin me eskortën e Vuçiqit

Prishtinë | 20 Jan 2018 | 14:52 | Nga

Policia e Kosovës (PK), përmes një reagimi për media ka adresuar një informacion zyrtar, siç thotë me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, lidhur me disa shkrime të publikuar sot në disa media/portale kryesisht serbe, ku shkruhet se në Llapnasellë janë shoqëruar (ndaluar) shqiptarë të cilëve iu janë marrë (gjetur) armë.

Lidhur me këtë Policia e Kosovës sqaron se “është institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet vepron konform autorizimeve ligjore që ka, ashtu siç ka vepruar edhe në rastin e ndalimit të një automjeti civil i cili ka penguar qarkullimin e delegacionit”.

“Rreth 13.05 min, njësia në lëvizje e cila ka qenë në parapërcjellje të përfaqësuesve nga delegacioni i Serbisë, i cili ka qenë duke shkuar në drejtim të Graçanicës, saktësisht në dalje të autostradës në Veternik, kanë ndaluar një veturë civile e cila ka penguar qarkullimin e automjeteve zyrtare. Vozitësi i automjetit është ndaluar nga zyrtarët policorë, përderisa automjetet zyrtare me delegacionin e përfaqësuesve nga Serbia kanë vazhduar sipas agjendës pa incidente dhe nuk bëhet fjalë për gjetje të ndonjë arme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Vlen të potencohet se nuk ka qenë eskorta e presidentit të Serbisë pasi që e njëjta deri në këtë kohë gjendet në rajonin e Mitrovicës Veri”, thuhet më tej në këtë reagim.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë angazhimet e saja profesionale me qëllim të ofrimit të sigurisë ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe njoftimit të drejtë të opinionit publik.

Të ngjashme