Ditëve të fundit në vend janë përhapur vatra të zjarrit – teksa rreth kësaj ka reaguar Policia e Kosovës.
Nëpërmjet një kumtese Policia e Kosovës thotë se është angazhuar në mënyrë intensive për të hetuar shkaktarët e zjarreve dhe të gjithë individët që dyshohen se kanë shkaktuar qëllimshëm zjarret do të përballen me organet e drejtësisë, njofton Klankosova.tv.
“Referuar situatës në të cilën ndodhemi lidhur me përhapjen e disa zjarreve nëpër lokalitete të ndryshme të vendit tonë, Policia e Kosovës me kapacitetet e saj në dispozicion po angazhohet me përkushtim në parandalimin dhe shuarjen e zjarreve duke ofruar asistencë me pajisje policore si topat e ujit si dhe duke koordinuar aktivitetet me agjencionet tjera në të gjitha rajonet ku janë raportuar vatra zjarri”.
“Policia e Kosovës është angazhuar në mënyrë intensive në hetimin e shkaktarëve të zjarreve dhe të gjithë personat/individët që dyshohen se kanë shkaktuar zjarrvënie të qëllimshme, apo si pasojë e neglizhencës së tyre, do të përballen me organet e drejtësisë” thuhet në kumtesën e policisë.