Policia e Kosovës ka zhvilluar dy operacione të ndara kundër trafikimit me narkotikë në Pejë dhe Ferizaj, gjatë të cilave janë sekuestruar mbi 16 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, armë zjarri, para të gatshme dhe dëshmi të tjera materiale.
Operacionet janë realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.
Sipas njoftimit zyrtar, në Pejë, gjatë kontrollit të një lokacioni, policia ka sekuestruar rreth 10.5 kilogramë marihuanë, një telefon mobil dhe një kartelë memorieje. Si rezultat i operacionit, një person është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë. Ndërkohë, një person tjetër i dyshuar ndodhet në arrati.
Në rastin tjetër, në Ferizaj, pas një pune operative dhe hetimore, policia ka arrestuar dy persona, një shtetas të Shqipërisë dhe një shtetas të Kosovës.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar: rreth 5.5 kilogramë substancë e dyshuar narkotike; një armë zjarri dhe fishekë; 2,250 euro; 18,500 lekë; një veturë; pajisje për paketimin e narkotikëve; telefona mobilë dhe prova të tjera materiale.
Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit në Ferizaj janë ndaluar për 48 orë.