Policia jep detaje për aksidentin ku u përfshi vetura e eskortës së kryeministrit, thotë se një femër është lënduar

Prishtinë | 12 Dhj 2022 | 11:02 | Nga Ekonomia Online

Njëra nga veturat e eskortës së kryeministrit Albin Kurti, është aksidentuar mbrëmë rrugës për në Gjilan.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka dhënë detaje sesi erdhi deri te aksidenti.

Sipas policisë aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:37.

“Është raportuar për një aksident trafiku ku janë përfshirë një veturë civile dhe një veturë zyrtare, pasi që dyshohet se vetura civile nga pakujdesia ka shkaktuar aksidentin”, njofton policia.

Policia bënë të ditur se përveç dëmeve materiale lëndime trupore ka pësuar e dyshuara dhe e njëjta është dërguar për tretman mjekësor dhe më pas është liruar në shtëpi.

Ndërkaq mbrëmë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se nuk ka pasur të lënduar në këtë aksident.

“Rrugës për në Gjilan, një nga automjetet e eskortës së Kryeministrit ka pasur një aksident komunikacioni. Nuk bëhet fjalë për veturën në të cilën gjendej Kryeministri. Për fat të mirë nuk ka të lënduar nga asnjëra palë e përfshirë në aksident”, ka deklaruar Kryeziu. 

Të ngjashme