Në aksidentin që ndodhi gjatë ditës së djeshme në Rugovë të Pejës, viktima nga pakujdesia ka humbur kontrollin mbi motoçikletën me katër rrota, ku si pasojë e lëndimeve viktima ka marrë lëndime vdekjeprurëse, raporton Ekonomia Online.
“Shtypeq i Madh, Rugovë-Pejë / 03.08.2024 – 15:32. I dyshuari mashkull kosovar duke drejtuar motoçikletën me katër rrota dyshohet se nga pakujdesia ka humbur kontrollin me ç’rast ka shkaktuar vetë aksident trafiku ku si pasoj i njëjti ka pësuar lëndime vdekjeprurëse, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa lëndime të lehta trupore ka pësuar pasagjeri mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se në rastin tjetër në Gllarevë të Klinës, aksidenti ka ndodhur mes dy automjeteve, ku njëri automjet u përfshi nga zjarri dhe shoferi nuk ka mundur të dalë nga vetura dhe si pasojë ka ndërruar jetë.
“Gllarevë, Klinë / 03.08.2024-19:05. Raportohet për një aksident trafiku në mes dy automjeteve (njëri kombi bartës dhe tjetra veturë udhëtarësh) me targa vendore dhe drejtues meshkuj kosovar. Si pasojë e aksidentit dy automjetet janë përfshihen në flakë ku drejtuesi i veturës në pamundësi të dalë nga vetura është djegur nga zjarri dhe ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në raportin e policisë.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa drejtuesi tjetër si i dyshuar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.