Policia jep detaje për gjendjen aktuale në veri

Prishtinë | 30 Maj 2023 | 08:21 | Nga Ekonomia Online

Situata e sigurisë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok mëngjesin e së martës është e qetë, thanë nga Policia e Kosovës.

Edhe sot serbët lokalë kanë vazhduar me protesta.

Situata është e qetë dhe aktualisht nuk ka ndonjë incident të shënuar.

“Nuk kemi ndonjë incident që e kemi regjistruar. Policia është duke i kryer detyrat e veta sipas angazhimeve që i ka”, tha për REL, Veton Elshani nga Policia e Kosovës.

Ai tha se zyrtarët policorë po vazhdojnë të qëndrojnë pranë tri ndërtesave komunale në veri të Kosovës.

Më 29 maj, protestuesit serbë u përleshën në Zveçan me forcat paqeruajtëse të KFOR-it.

Si pasojë e përleshjeve, të paktën 25 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar, sikurse edhe disa protestues.

Serbët lokalë po kundërshtojnë hyrjen në komuna të kryetarëve të rinj shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit. Ata po ashtu po kërkojnë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i banuar me shumicë serbe.

Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar ashpër vendimin e Qeverisë së Kosovës që kryetarët e rinj të shkonin në zyrat komunale më 26 maj, kur dhe u ngritën tensionet.

Kosovës i është kërkuar që të heqë dorë nga “masat e dhunshme” dhe “veprimet e njëanshme”. Por, autoritetet në Prishtinë i kanë cilësuar si legjitime veprimet e tyre në veri.

Zgjedhjet në veri u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm në nëntorin e kaluar – që të gjithë nga Lista Serbe – për shkak të kundërshtimit të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa RKS – Republika e Kosovës.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në zgjedhje dhe serbët gjerësisht bojkotuan procesin e votimit.

Të ngjashme