Policia jep detaje për grabitjen e këmbimores në Prishtinë, i dyshuari gjuajti me kallashnikov

Prishtinë | 05 Qer 2024 | 18:34 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për grabitjen e një këmbimoreje që ndodhi të mërkurën pasdite në Prishtinë, ku edhe është arrestuar i dyshuari, raporton Ekonomia Online.

Sipas organeve të rendit, i dyshuari ka gjuajtur me armë kallashnikov, AK-47, derisa si reagim në përpjekje për ta ndaluar grabitjen, edhe një qytetar ka shtënë me armë zjari.

“Sot rreth orës 15:15, është raportuar për një rast grabitje në një këmbimore në lagjen Tophane në Prishtinë, me ç’rast i dyshuari ka shtënë me armë zjarri AK-47. Si reagim ndaj të shtënave të të dyshuarit, në përpjekje për të parandaluar grabitjen një qytetar po ashtu ka shtënë me armë zjarri. Pas marrjes së informacionit, zyrtarët e Policisë së Rajonit të Prishtinës kanë dalë në vendngjarje, kanë ndërrmarrë të gjitha masat e nevojshme operativo-policore dhe pak minuta pas raportimit të rastit, kanë arritë që në Obiliq të arrestojnë personin dyshuar i cili është i lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu, sipas Policisë, të dyshuarit i është konfiskuar një veturë dhe arma e përdorur.

“Të njëjtit për shkak të lëndimeve (dyshohet të jetë plagosur) i është ofruar tretmani i nevojshëm mjekësor. Ndërlidhur me rastin policia ka sekuestruar: Veturën e të dyshuarit, si dhe një armë automatike, të tipit AK-47. Ndërkaq hetuesit po vazhdojnë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore policore për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes”, thekson Policia.

Të ngjashme