Prokuroria themelore në Ferizaj ka konfirmuar se i dyshuar për vrasjen e një gruaje (21 vjeç) dhe plagosjen e një të riu, pasditen e sotme në Ferizaj është ish-bashkëshorti i viktimës.
Sipas prokurorisë në Ferizaj, dyshoohet që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti.
Siç mësohet, dy ish-bashkëshortët ishin në proces të ndarjes dhe kanë pasur mosmarrëveshje për çështjen e kujdestarisë së fëmijëve, kurse i plagosuri është vëllai i viktimës.
I dyshuari ka kërcënuar edhe një punëtore sociale në këtë qendër, derisa pas të shtënave ai ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes kur edhe u arrestua nga Policia.
Në njoftimin e PK-së bëhet e ditur se sot, më 12.04.2024, në ora 14:40 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri.
“Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë mësuar se një person brenda Qendrës për Punë Sociale në katin I-rë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave dhe për pasoj një person E.C (F/K) e moshës 21 vjeçare ka ndërruar
jetë në vendin e ngjarjes, vdekja e së cilës është konfirmuar nga mjekët kujdestar në
vendin e ngjarjes, ndërsa plagë trupore ka pësuar personi D.C ( M/K) i moshës 15
vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj
dhe është jashtë rrezikut për jetën, kurse i dyshuari është larguar në drejtim të
panjohur”.
Gjendja e 15-vjeçarit të plagosur në parakrah është stabile, thonë në Emergjencë
Shefi i Emergjencës në Ferizaj, Sefedin Fazliu, ka treguar se gjendja shëndetësore e të miturit, që sot mbeti i plagosur nga të shtënat që ia morën jetën edhe motrës së tij, është stabile.
“Këtu rreth orës 15 është sjell vetëm një pacient i cili e ka pasur vetëm një plagë nga arma e zjarrit në parakrahun e djathë. Pas bërjes së radiografisë është vërtetuar se plumbi ekziston në parakrahun e djathtë; nga ana e ortopedit është intervenuar, është larguar plumbi dhe i është dorëzuar shërbimit policor dhe pacienti pas mobilizimit të krahut është pranuar në Repartin e Ortopedisë”, tha Fazliu, i cili ishte mjek kujdestar.
“Kurse për një paciente femër është konstatuar nga mjekësia e urgjencës se është pa shenja jete dhe është informuar policia, po ashtu edhe mjekësia ligjore, për ta tërhequr nga vend i ngjarjes”, tha ai.
Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura
edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A (M/K) i moshës 36 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një
pune intensive në terren , në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e
kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për
procedura tjera hetimore.
Hetuesit dhe krim teknikët rajonalë kanë dalë në vendin e ngjarjes, për të ekzaminuar vendin e ngjarjes. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar dhe prokurori i shtetit, i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes.