Policia jep detaje rreth incidentit te rrethi, lajmi për vrasje e plagosje ishte i rremë

Prishtinë | 16 Tet 2018 | 00:00 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth incidentin që ka ndodhur sonte rreth orës 21:00 në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Policët kanë përdorur armët për të neutralizuar rrezikun për jetën e tyre, por nuk ka pasur të vrarë as të plagosur sikur raportuan shumë portale, duke u thirrur në një burim të pakonfirmuar.

Policia e Rajonit të Prishtinës bëri të ditur se në kuadër te masave taktike-operative sot rreth orës 21:00 ka ndërmarrë për kapjen e të dyshuarve te implikuar ne veprat penale si dhe goditjen e grupeve kriminale   përderisa policët ne rroba civile kanë provuar të ndalojnë një veturë  të dyshuar me tre persona në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

“Të njëjtit kanë shpërfillur urdhrat e policisë për t’u ndalur, duke filluar ta godasin ne vazhdimësi me veturën e tyre veturën e policisë në lëvizje dhe një nga ta i ka drejtuar armen policëve të cilët në  atë moment duke vlerësuar rrezikun e drejtpërdrejt për jetën e tyre kanë përdorur armën për të neutralizuar veprimet e rrezikshme të të dyshuarve  që atë moment kanë mund te jenë fatale për jetën e policeëve”..

Ndërkohë qe ka vazhduar ndjekja dhe është shtuar mbështetja policore është bërë i mundur ndalimi i detyruar i veturës se dyshuar në lagjen “Perroi i  Njelmet” në Prishtinë si dhe kapja dhe arrestimi i dy të dyshuarve të këtij rasti.

“I dyshuari i tretë ka arritur të ikë nga vendi i ngjarjes dhe  aktualisht është në arrati, porse i njëjti është i identifikuar dhe është në kërkim policor. Ky i dyshuar i njohur për policinë ka qenë edhe më herët në kërkim policor për raste të grabitjes dhe plagosjes të ndodhura kohë më parë”.

“Në veturën e dyshuar policia ka  gjetur dhe sekuestruar, një revole të kalibrit 7.65 mm me 6 fishek, një shufër metalike, një sasi substancë që dyshohet të jetë marihuane, si dhe disa telefona celular”, ka treguar policia.

Më tutje, thuhet se oficerët  policorë kanë marre lëndime trupore përgjatë ndjekjes nga goditja e veturave, përderisa deri më tani nuk raportohet për të lënduar nga arma e zjarrit.

Operacioni për lokalizimin e vendndodhjes se të dyshuarit te tretë është duke vazhduar përderisa te arrestuarit konform rekomandimit te prokurorit te shtetit do te procedohen më tej në procedurë hetimore.

Të ngjashme