Policia e Kosovës ka shpallur dje në kërkim një person nga Podujeva, i cili dyshohet se është përfshirë për veprat penale ‘Mashtrimi në detyrë, ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’.
Ky institucion kërkon nga qytetarët, kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar të lajmërojnë policinë.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ka zhvilluar hetime në një rast penal. Gjatë procedurës së hetimit edhe përkundër angazhimeve hetimore dhe operative, nuk është arritur të sigurohet prezenca e njërit prej të dyshuarve, i cili dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, “Shmangja nga tatimi” dhe “Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për publikimin e fotografisë së personit të dyshuar, me qëllim të pranimit të informacione në lidhje me identifikimin e vendndodhjes së të dyshuarit, lëshon kërkesë për bashkëpunim me qytetarë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Personi i dyshuar është:
Bedri (Fazli) Batatina i lindur me 03.06.1984, banues në rrugën “Ali Ajeti” Podujevë:
Policia, kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës, kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar të paraqitur në fotografinë e bashkangjitur, të lajmërojnë policinë, qoftë përmes numrave të telefonit 192, 080019999 (pa pagesë), apo përmes aplikacionit “lajmëro policinë”, e-mail adresën [email protected] si dhe në stacionin më të afërt policor.