Policia konfirmon përdorimin e vërtetimeve mjekësore të falsifikuara gjatë zgjedhjeve në Kllokot, ka të arrestuar

Prishtinë | 15 Tet 2025 | 16:43 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet Lokale në Komunën e Kllokotit nuk kanë kaluar pa incidente, pasi disa persona, sipas të dhënave të paraqitura, kanë tentuar në mënyrë të organizuar të ofrojnë asistencë sociale për qytetarë që dyshohet se nuk kishin nevojë.

Kandidati për kryetar të Komunës, Arbër Emini, ka deklaruar se Lista Serbe ka përdorur vërtetime mjekësore të falsifikuara për të ndikuar në procesin zgjedhor.

Në lidhje me këtë rast, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka dhënë detaje për Ekonomia Online.

Osmani ka thënë se nga ky rast një grua është arrestuar.

“Me datën 12.10.2025, në Kllokot e dyshuara femër kosovare dyshohet se ka lëshuar raporte mjekësore për asistencë gjatë procesit të votimit. E njëjta është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës me dyshimin se me veprimet e saja ka kryer veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”. Veprimet e mëtejshme hetimore janë ndërmarr në koordinim me Prokurorin e Shtetit, përderisa rasti vazhdon të trajtohet në procedure të rregullt gjyqësore”, ka thënë Osmani.

Të ngjashme