Policia kroate: Identiteti i dy të vdekurve nga aksidenti i djeshëm është ende i panjohur

Prishtinë | 26 Kor 2021 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Policia kroate ka raportuar se identitetet e tetë të vdekurve nga aksidenti i djeshëm tragjik janë konfirmuar, ndërsa identitetet e dy të tjerëve ende jo, raporton Index.hr.

Ishte e dhimbshme për të parë lotët dhe për të dëgjuar britmat e familjarëve të personave që vdiqën në aksidentin e sotëm. Ata mbërrinë në spital pasditen e së dielës për të identifikuar të dashurit e tyre, shkroi dje mediumi kroat, Jutarnji.

Në deklaratën e sotme të Policisë kroate po ashtu thuhet se shoferi, shtetasi 52-vjeçar i Kosovës, iu dorëzua mbikëqyrësit të kujdestarisë me një kallëzim penal për dyshimin e kryerjes së veprës penale të shkaktimit të aksidentit të trafikut, dhe se gjatë ditës ai do të dorëzohet pranë Zyrës së Avokatit të Shtetit të Qarkut Slavonski Brod.

“Pasi ta dorëzojmë atë në mbikëqyrjen e kujdestarisë në mëngjes, ai do të sillet në Avokaturën e Shtetit për marrjen në pyetje. Zyra e Avokatit të Shtetit do të vendosë për rrjedhën e mëtejshme të procedurave, dmth nëse do të kërkojë mbajtjen apo lirimin e shoferit”, tha më herët për SBplus, Damir Breziq nga Policia e qarkut.

Siç raportoi policia dje, shoferi do të procedohet penalisht për dyshimin e kryerjes së veprës penale “shkaktimi i aksidentit të trafikut në trafikun rrugor”, për të cilin dënimi maksimal është deri në 15 vjet burgim.

Në këtë aksident trafiku, 10 persona vdiqën, 15 persona u lënduan rëndë, ndërsa 30 më lehtë. Të lënduarit u transportuan në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po mbahen për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërmitarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave ishte dje në Kroaci, ndërsa ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli kishte qenë paraprakisht në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po marrin trajtim mbi 40 persona.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë para aksidentit kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.

Njëri nga shoferët i cili nuk po voziste në momentin tragjik, ka vdekur.

Shoferi i cili po voziste në momentin e rastit tragjik, e pranoi dje në Prokurori se për një moment e kishte zënë gjumi, dhe më pas autobusi kishte lëvizur fatalisht jashtë autostradës.


Të ngjashme