Policia Kufitare e Kosovës ka shpëtuar dy persona të cilit kishin mbetur të bllokuara nga reshjet e borës në Bjeshkët e Zhurit.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur më 22.03.2021 rreth orës 11:40.
Komunikata e plotë:
Me intensifikimin e reshjeve të borës këto ditë në vendin tonë Policia e Kosovës ka qenë e angazhuar në teren me njësitet e saj pavarësisht kushteve dhe rrethanave atmosferike që kanë mbretëruar. Njëkohësisht është kërkuar nga të gjithë që të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit apo lëvizjes nëpër rrugë apo zona të ndryshme gjatë reshjeve atmosferike.
Me datë 22.03.2021, rreth orës 11:40, në Policinë e Kosovës është pranuar një informatë se në Bjeshkët e Zhurit kishin mbetur të ngujuar nga dëbora dy (2) persona të cilët ishin nisur në këmbë rrugës malore por që kishin vështirësi për të arritur në Zhur.
Menjëherë Policia ka filluar organizimin e operacionit të kërkimit dhe shpëtimit të këtyre personave dhe ka arritur që përmes kontaktit me ta të kuptoj se janë gjithsej katër (4) persona që janë larg dhe kanë vështirësi. Nga Stacioni Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) në Vërmicë janë angazhuar dy (2) automjete, një moto-sajë dhe katër (4) zyrtarë policorë.
Pas disa orë kërkimi nga Policia është arrit kontakti fizik me personat e mbetur në mal, për të arritur pastaj në Zhur. Rreth orës 16:00 të njëjtën ditë, duke ndier veten në gjendje të mirë dhe pa pasur nevojë për ndonjë trajtim mjekësor personat në fjalë janë kthyer në shtëpi shëndosh e mirë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar të ju shërbej të gjithëve pa dallim dhe të ofroj ndihmën e nevojshme kudo dhe kurdo që qytetarët kanë nevojë apo konsiderojnë që Policia mund të ju dal në ndihmë. Vetëm përmes një bashkëpunimi aktiv mundemi që situatat e vështira ti tejkalojmë më lehtë.