Policia e Kosovës ka mbajtur një takim me drejtorët komunal të arsimit dhe drejtores e shkollave të mesme në Komunën e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se qëllimi i takimit ishte bashkëbisedimi lidhur me punët dhe sukseset e Policisë me të gjitha aktivitetet që janë mbajtur në dhe përreth shkollave për “të ofruar një ambient më të sigurt për nxënësit në Prishtinë”
Nënkoloneli, Basri Shabani ka njoftuar se në periudhën Janar-Gusht 2024, ka shënuar ulje të numrit të përgjithshëm të rasteve dhe të veprave penale në Kryeqytet.
“Në kuadër të Drejtorisë Rajonale është e paraparë me programin e ri dhe Drejtoria e Policisë në Kryeqytet. Kemi paraparë edhe njësinë e reagimit të shpejtë. Në periudhën Janar-Gusht 2024, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka shënuar ulje të numrit të përgjithshëm të rasteve prej -2.0 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2023. Në periudhën Janar-Gusht 2024, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka shënuar ulje të numrit të përgjithshëm të veprave penale prej -2.3 % në raport me periudhën e njejtë të vitit 2023. Është shënuar ngritje në numrin e veprave penale, lëndim i rendë trupor: 28.9 për qind grabitje: 55.6 për qind, grabitje në tentativë / 200.0 për qind, dhuna në familje 5.1 për qind. Kemi pasur një rritje në veprën penale grabitje dhe lëndime trupore”, ka thënë Shabani.
Shef i Sektorit të Operatives Rajonale, major Bekim Bislimi ka deklaruar se misioni i policisë është mbrojtja e qytetarëve dhe krijimi i një ambienti të sigurt.
“Misioni i Policisë së Kosovës është mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve, si dhe krijimi i një ambienti të sigurt për të gjithë ata që jetojnë në Republikën e Kosovës. Dhuna në shkolla paraqet një nga problemet më serioze që kërcënon zhvillimin e nxënësve, shëndetin e tyre, mirëqenien, të drejtat themelore dhe dinjitetin. Kjo situatë mund të sjellë rreziqe të mëdha, madje edhe kërcënimin e jetës së tyre. Prandaj, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me aktorët dhe partnerët e tjerë, synon përmirësimin e sigurisë se përgjithshme dhe krijimin e një ambienti sa më të sigurt në shkolla. Ne angazhohemi për të promovuar tolerancën, respektin dhe ndihmën për nxënësit, duke u fokusuar në parandalimin e dhunës dhe mbështetje për ata që përballen me probleme. Përmes aktiviteteve edukative dhe informuese, ne do të kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie më të sigurt”, ka thënë Bislimi.