Policia e Kosovës njofton se Divizioni i Trafikut së bashku me policinë e komunitetit nga stacioni policor në Lipjan, kanë marrë pjesë në aktivitetin e sigurisë në trafik, i organizuar nga shkolla fillore e mesme e ulët “Kadri Beba” në fshatin Ribar-Lipjan.
Aktiviteti për sigurinë në trafik është iniciuar nga arsimtarët e kësaj shkolle dhe është përkrahur nga drejtori i shkollës. Me ndihmën e policisë, nxënësit kanë mësuar se si duhet të ngasin automjetin në shiritin rrugor, si duhet të ngasin biçikletat në shtegun për biçikleta dhe si të respektojnë shenjat e trafikut, bëhet e ditur në njoftimin e policisë.
“Njohurit e marra nga policia, nxënësit i kanë zbatuar në praktikë duke i ndaluar automjetet dhe duke iu dhënë përparësi këmbësorëve në vendkalim të shënuar për këmbësorë. Gjithashtu nxënësit kanë inskenuar një rast të aksidentit rrugor duke e njoftuar policinë për të dalë në vendin e ngjarjes, njoftimin e institucioneve emergjente dhe dhënien e ndihmës personave të lënduar”, thuhet tutje në njoftim.