Sulmi ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë nga një infermiere ka ndodhur pesë ditë më parë, më 29 tetor, sipas Policisë së Kosovës.
Deri më tani, Policia ka arrestuar tre persona të përfshirë në këtë rast pasi në pamjet e publikuara sot, pos infermieres që e sulmon të moshuarën, ka edhe persona tjerë që nuk veprojnë për të parandaluar sulmin.
Këtë për Klankosova.tv e ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Në këtë rast ka tre persona që janë arrestuar nga ajo qendër për të moshuar. Rasti ka ndodhur të shtunën më 29 tetor dhe mbi tre personat e arrestuar rëndojnë vepra të ndryshme penale”.
“Një person është arrestuar për veprën ‘Sulm’, një për veprën ‘Ndihmë për kryerje të sulmit’ dhe personi i tretë për veprën ‘incizim i paautorizuar’”, tha Gashi.
Gashi, mes tjerash, bëri të ditur se me urdhër të Prokurorit, personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë. /Klankosova.tv