Policia merr masa sigurie për marshin në shesh, bllokohen për qarkullim disa rrugë kryesore

Prishtinë | 12 Sht 2026 | 10:50 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës tha se ka ndërmarrë masat e nevojshme për ofrimin e sigurisë për Marshin për Liri që do të mbahet sot në sheshet kryesore të Prishtinës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK’së, katër ditë para shpalljes së vendimit.

“Policia e Kosovës, lidhur me marshin solidarizues paqësor, i cili do të mbahet sot në orën 14:00, në sheshet kryesore: ‘Zahir Pajaziti’, ‘Nëna Terezë’ dhe ‘Skënderbeu’, me qëllim të garantimit të sigurisë së pjesëmarrësve në marsh, qytetarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e marshit para, gjatë dhe deri në përfundim të marshit”.

Për këtë marsh, policia paralajmëroi edhe bllokimin e disa rrugëve kryesore të kryeqytetit, ndërsa tha se sipas nevojës ka mundësi të mbyllen edhe të tjera gjatë ditës.

“Sipas planifikimeve policore me qëllim të mbarëvajtjes së marshit rrugët të cilat do të bllokohen për qarkullim në kryeqytet janë rrugët: Agim Ramadani, Luan Haradinaj dhe Enver Zymberi, por varësisht nevojës operative mund të ketë edhe rruge të tjera në të cilat mund të ndërpritet qarkullimi përkohësisht”.

Policia e Kosovës tha se sipas ligjit mbi tubimet publike e njeh të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve e marshimeve të qeta dhe sipas detyrës zyrtare do të angazhohet që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët, në mënyrë që mbarëvajtja e marshit qytetar të kalojë qetë dhe pa incidente.

“Për shkak të zhvillimit të marshimit dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, do të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktiviteti, andaj Policia ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”.

Policia e Kosovës iu bëri thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktiviteti të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt.

“Policia e Kosovës falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunim, siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritet i Policisë së Kosovës. Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publik”.

Të ngjashme