Policia merr nga Arkivi dosjen e Aleksandër Lumezit

Prishtinë | 26 Tet 2017 | 19:35 | Nga

E gjithë dosja e provimit të Jurisprudencës së kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është larguar nga Arkivi i Kosovës.

Ekipi i Kohavisionit nuk është lejuar këtë të enjte të hyjë në Arkivin e Shtetit, pasi drejtori i saj, Ruzhdi Panxha, ka thënë se dokumentacioni, në të cilin ka hulumtuar ekipi, të mërkurën është marrë nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Televizioni ka pyetur në Prokurorinë e Shtetit dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës nëse ka nisur hetimet lidhur me këtë çështje. Zëdhënësi i KPK-së, Astrit Kolaj, ka thënë se nuk mund të japë një përgjigje për rastin, me arsyetimin se kryesuesi i Këshillit nuk ndodhet aty.

Detaje nuk ka dhënë as Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i saj, Daut Hoxha, ka referuar që për këtë rast t’i drejtohet Prokurorisë Themelore në Prishtinës.

E as Prokuroria e Shtetit nuk është përgjigjur në pyetjen e KTV-së, por përmes telefonit, ka thënë se as nuk e mohojnë e as nuk e pohojnë një gjë të tillë.

Sido që të jetë, dosja e Lumezit dhe dokumentacioni tjetër që lidhej me ata që e kanë dhënë provimin e jurisprudencës në periudhën 1990-92, më nuk janë të hapura për publikun.

Televizioni ka pyetur edhe EULEX-in nëse ka nisur hetimet për dosjen e provimit të Jurisprudencës të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

“Në përputhje me mandatin aktual, prokurorët e EULEX-it nuk i marrin rastet e reja përpos në rrethana të jashtëzakonshme. Këto pohime do të shqyrtohen me autoritetet kompetente të prokurorisë kosovare, ndërsa prokurorët e EULEX-it kanë pranuar dhe konsideruar kërkesën e z. Lumezi. Misioni do ta monitorojë këtë çështje”, thotë EULEX-i.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme