Policia e Kosovës brenda 24-orëve të fundit ka ndaluar 44 persona, të cilët nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se në 26 raste janë hasur 44 persona që dyshohen për veprën: “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.
Kosova aktualisht ka konfirmuar 703 raste të të infektuarve me Coronavirus, 19 pacientë kanë vdekur, ndërsa 162 janë shëruar.