Policia e Kosovës njofton se në veri të vendit ka ndalur një automjet që dyshohet se po kontrabandonte barna.
Automjeti është ndalur në fshatin Rudarë të Zveçanit.
Sipas policisë, automjeti po drejtohej nga D.S dhe brenda mjetit u hasën pako me produkte medicinale.
“Në vazhdën e luftës kundër kontrabandës në veri të vendit, sot më 02.08.2022 rreth orës 13:30 në fshatin Rudare të Zveçanit, njësitet policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Veriu, kanë ndaluar një automjet me të cilin po kontrabandoheshin barna”, ka njoftuar policia.
Automjeti i ndaluar ishte një auto-ambulancë që drejtohej nga D.S., viti i lindjes 1965 në Mitrovicë e me banim në Zveçan. Njësitet policore gjatë kontrollimit të automjetit, të ngarkuar në të, kanë hasur pako me produkte medicionale me banderola të Serbisë.
Drejtuesi i automjetit, nuk posedonte dokumente për prejardhjen e produkteve medicioanle, andaj ekziston dyshim i bazuar se ato kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale, pra janë kontrabanduar duke i ikur obligimeve doganore.
Policia për rastin ka njoftuar prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe rasti në koordinim me të është duke u trajtuar nga policia.
Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, kur ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, se është duke i lënë pacientët në veri pa barna.
Duke publikuar fotografinë e shoferit të arrestuar, Petkoviqi ka thënë se ai ka qenë duke transportuar tretësirë infuzioni nga Qendra Shëndetësore në Leposaviq për në Shtëpinë e Shëndetësisë në Mitrovicë dhe sipas tij është “kidnapuar”.
“Pas sulmit në targa dhe letërnjoftime, radhën e kanë institucionet shëndetësore dhe pacientët tanë dhe populli është i zemëruar dhe i mërzitur, sepse askush nuk e di se cili do të jetë hapi i radhës i Albin Kurtit”, ka thënë ai.
Petkoviq, i cili është edhe shef i delegacionit të Serbisë në dialogun me Kosovën, ka thënë se me veprimet e tilla, Kurti nuk dëshiron paqe dhe se për një gjë të tillë i është ankuar komunitetit ndërkombëtar.
“Kjo është e papranueshme për ne. Kurti nuk dëshiron paqe dhe vazhdon të sillet në atë mënyrë, që dëshiron ta përshkallëzojë konfliktin, siç tregohet nga ngjarja e sotme. Serbët janë të mërzitur në veri dhe KFOR-i dhe QUINT-i duhet të reagojnë. Dhe, nëse nuk reagojnë, atëherë ka kush të na mbrojë”, ka deklaruar Petkoviq.