Policia e Kosovës ka njoftuar se i ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore me qëllim të mbarëvajtjes së “Marshit për Drejtësi” që organizohet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
PK-ja ka sqaruar se ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e marshutës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët dhe ofrimin e sigurisë në trafik.
“Policia do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e marshutës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike”, thuhet në njoftimin e PK-së
“Sipas procedurave të parapara policia do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të marshutës, andaj ftojmë qytetarët pjesëmarrës që të marshojnë të qetë dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike”, ka njoftuar policia.