Policia në Ferizaj mbështet kampanjën e “Handikos” për Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës

Prishtinë | 27 Shk 2026 | 16:11 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës në Ferizaj ka marrë pjesë në një aktivitet vetëdijesues të organizuar nga Handikos, në kuadër të shënimit të 1 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës.

Sipas komunikatës për media, më 27.02.2026, dy njësi policore nga stacioni policor në Ferizaj, një nga njësia e trafikut të qytetit dhe një nga sektori përkatës iu bashkuan kampanjës që u zhvillua nga ora 10:00 deri në ora 11:30.

“Së bashku me përfaqësuesit e shoqatës, policët kanë shpërndarë fletushka sensibilizuese për qytetarët dhe shoferët e automjeteve, me theks të veçantë në lirimin e trotuareve, parqeve dhe hapësirave publike, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe të sigurt për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim theksohet se ky aktivitet synon rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e qasjes së lirë në hapësirat publike dhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

“Policia e Ferizajt mbetet e përkushtuar në mbështetjen e aktiviteteve që promovojnë barazinë, qasjen e lirë dhe respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve”, përfundon komunikata.

Të ngjashme