Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar qytetarët se edhe në rajonin e Ferizajt janë evidentuar raste të mesazheve mashtruese (SMS), të cilat dërgohen në emër të Policisë së Kosovës.
Sipas policisë, në këto mesazhe pretendohet në mënyrë të rreme se qytetarët kanë gjoba trafiku dhe ftohen të klikojnë në lidhje (linke) për të kryer pagesa.
Policia thekson se këto mesazhe nuk janë zyrtare dhe përbëjnë tentativa për mashtrim.
Qytetarëve u bëhet thirrje:
Të mos klikojnë në linke të dyshimta.
Të mos japin të dhëna personale apo bankare.
Të mos kryejnë pagesa përmes lidhjeve të dërguara me SMS.
Në rast se pranojnë një mesazh të tillë, qytetarët këshillohen ta fshijnë menjëherë, ta raportojnë rastin në stacionin më të afërt të Policisë së Kosovës dhe të kontaktojnë bankën e tyre nëse kanë ndarë të dhëna personale ose bankare.
Rastet e tilla mund të raportohen edhe përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrin 192.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj apelon për kujdes të shtuar ndaj mashtrimeve online dhe bashkëpunim me policinë për parandalimin e tyre.