Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Pejë ka ndërmarrë masa të shtuara policore për rregullimin e komunikacionit dhe parandalimin e aksidenteve, me theks të veçantë te siguria e pjesëmarrësve që drejtojnë motoçikleta dhe katërçikleta.
Në kuadër të planit operativ, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, në bashkëpunim me stacionet policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ka formuar një TASK-FORCË policore për zbatimin e planit operativ “Motoçiklistët kundërvajtës”.
Gjatë ditëve të muajit gusht 2026, zyrtarët policorë kanë kontrolluar dhe legjitimuar drejtues të këtyre mjeteve, ndërsa 171 ngasës janë proceduar për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion. Gjatë këtyre kontrolleve, për shkak të shkeljeve të evidentuara, janë konfiskuar edhe disa mjete.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë apelon te të gjithë qytetarët që përdorin mjete të ndryshme për transport që të tregojnë kujdes maksimal gjatë pjesëmarrjes në trafik dhe të respektojnë ligjin, rregullat e komunikacionit dhe sinjalizimin rrugor.
Policia e Kosovës thekson se masat e tilla kanë për qëllim rritjen e sigurisë në rrugë, parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.