Forcat turke të sigurisë kanë filluar të premten patrullimet nëpër rrugët kryesore dhe kanë vendosur pikëkontrolle në qytetet kryesore për ta garantuar zbatimit e masës më të ashpër deri më tani të izolimit shkaku i COVID-19. Megjithëkëtë, shumë qytetarë janë parë nëpër rrugë pasi që Qeveria, në përpjekjen për të mos e mbyllur tërësisht ekonominë, ka mbajtur të hapur disa sektorë. Presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, ka zbatuar kufizimet e reja, të cilat kanë hyrë në fuqi të enjten pas mesnatës dhe do të zgjasin të paktën deri më 17 maj, pas ngritjes enorme të numrit të rasteve të reja dhe të vdekjeve nga COVID-19.
Vendi ka raportuar 37 mijë e 674 raste të reja të infektimit dhe 339 vdekje gjatë së enjtes. Në kuadër të kufizimeve, të zbatuara gjatë muajit të Ramazanit dhe që do të vazhdojnë edhe për Bajram, qytetarëve u ndalohet dalja nga shtëpitë, përveç për blerje apo për përmbushjen e nevojave esenciale. Për udhëtimet lokale kërkohet sigurimi i një lejeje të posaçme nga autoritetet. Nga kjo masë përjashtohen punonjësit shëndetësorë dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit, punëtorët në fabrika dhe në bujqësi, si dhe ata të zinxhirëve të furnizimit dhe të kompanive logjistike. Vetëm turistët mund të lëvizin lirshëm, ndërsa restoranteve u lejohet shërbimi vetëm me dërgesa.