Policia për vdekjen e 48-vjeçares: U qëllua në automjet pranë shtëpisë së saj, nuk ishte e përfshirë

Prishtinë | 27 Mar 2024 | 12:39 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për dy vrasjet e mbrëmshme që ndodhën në Prishtinë. Për rastin e vrasjes me armë zjarri në rrugën “Jeronim De Rada”, Policia ka bërë të ditur se përpos njërit që ka vdekur në vendin e ngjarjes, një tjetër ka vdekur gjatë ditës së sotme në QKUK.

Sipas PK-së, viktima e dytë Z.G, femër, 48 vjeç, është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj dhe se nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.

Në këtë rast, PK-ja ka bërë të ditur se katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga goditja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast.

Komunikata e plotë:

Vriten dy persona në Prishtinë 

Mbrëmë rreth orës 21:15, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën Jeronim De Rada në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Në këtë rast katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga gotitja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast.

Si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit njëri nga personat e plagosur :

E. H,  mashkull, 30 vjeç, ka vdekur mbrëmë, ndërsa sot rreth orës 11:00 nga QKUK jemi njoftuar se edhe viktima e dytë Z.G, femër, 48 vjeç, ka vdekur. 

E ndjera është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj ,nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.

Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të dy peronave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e policisë.

Të ngjashme