Policia po heton kërcënuesit e Kurtit

Prishtinë | 20 Maj 2020 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Kanë nisur hetimet ndaj kërcënuesve të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

Policia e Kosovës tha për KOHËN se të gjitha veprimet janë duke u ndërmarr në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale.

“Ju informojmë se Policia e Kosovës, në këtë rast, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda është duke e trajtuar si rast, dhe është në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve”, thotë PK-ja.

Mbrëmë kryeministri Kurti, publikoi një kërcënim që thotë ta ketë marrë nga grupi “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Kurti thotë se është kërcënuar, publikon paralajmërimin e “Gardës Vullnetare Shqiptare”

“Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin”, u shpreh Kurti.

KOHA ka dërguar disa pyetje edhe në Prokurorisë Speciale derisa është në pritje të tyre.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha për KOHËN se çdo kërcënim ndaj liderëve institucional dhe politik në Kosovë duhet të trajtohet me seriozitetin më të madh nga të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë.

“Rastet si ky në radhë të parë duhet trajtuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë i cili institucion duhet këto informata t’i analizojë dhe të merr veprime konkrete për të zbuluar kush qëndron prapa këtyre kërcënimeve. Duhet të këtë koordinim dhe bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë që ky rast të trajtohet me top prioritet dhe kërcënuesit apo urdhëruesit potencial të vihen para drejtësisë”, tha Miftaraj.

Miftaraj tutje shtoi se ky rast duhet të hetohet po ashtu në aspektin e sigurisë nacionale, nëse kërcënime të tilla vijnë poashtu edhe nga shtete që kanë qëllim destabilizimin e politikës në Kosovë.

“Sikurse të gjithë akterët institucionale dhe politik duhet të qëndrojnë të bashkuar në raste si ky, pasi ky kërcënim nuk duhet shikuar dhe vlerësuar ndaj Albin Kurtit por ndaj pozitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Miftaraj nga IKD-ja.

Ndërkohë, Fatmire Mulhaxha Kollçaku nga Vetëvendosja, e dënoi kërcënimin dhe kërkoi nga autoritetet që përgjegjësit t’i sjellin para organeve të drejtësisë.

“Si Kryetare e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, pres nga institucionet e thirrura për siguri ta trajtojnë me shumë seriozitet dhe prioritet këtë kërcënim të hapur dhe të gjinden autorët që duhet të përgjigjën para organeve të drejtësisë”, u shpreh Kollçaku mbrëmë përmes një statusi në Facebook.

Edhe zëdhënësi i Partisë Demokratike, Avni Bytyçi, ka kërkuar nga organet e drejtësisë të merret seriozisht me këtë kërcënim. Ndonëse, ka thënë se duhen hetime për t’u kuptuar nëse ishte sajesë nga Kurti apo kërcënim i vërtetë.

Të ngjashme