Autoritetet polake kanë gjetur dhe konfiskuar më shumë se tre tonë kokainë, të fshehur në pako të ananasit të ngrirë. Vlera e kësaj sasie të drogës në tregun e rrugës vlerësohet rreth 760.9 milionë dollarë.
Policia polake njoftoi përmes një deklarate se i ka arrestuar tre burra nga rajoni verior, Pomerania, të moshës 64 deri 71-vjeçare pas hetimeve për këtë rast, shkruan “Reuters”.
Policia polake konfiskon mbi tre tonë kokainë me vlerë të 761 milionë dollarëve
Kokaina u gjet në pako të ananasit të ngrirë në një depo në qytetin verior, Gdynia. Sasia e madhe e drogës ishte sjellë me anije nga Ekuadori në Hamburg para se të dërgohej në Poloni përmes transportit tokësor.
“Vlera e kokainës së gjetur ishte tre miliardë zlotë dhe do të mund të ndahej në një milionë doza. Ajo do të mund të ishte goditje e rëndë për shëndetin e të rinjve”, tha kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, gjatë një konference për gazetarë.
Shefat e bandave të drogës në Amerikën Latine kanë dërguar sasi të mëdha të kokainës në Evropë, pavarësisht pengesave të shkaktuara nga koronavirusi në zinxhirin furnizues.
Në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet polake i konfiskuan dy tonë kokainë që ishte sjellë nga Kolumbia me vlerë prej rreth 500 milionë dollarëve.