Një postim i datës 24.04.2024 i Policisë së Kosovës bëri që ky institucion të bëhet shkelës i ligjit.
Të dhënat personale të dy qytetarëve u bënë publike nga ana e Policisë, ndonëse pasi KALLXO.com i dërgoi pyetje këtij institucioni, këto të dhëna u larguan.
Në dy fotografi që u realizuan brenda automjeteve të veturave të patrullës inteligjente, që dëshmonin shkeljen e rregullave të trafikut nga dy qytetarë, u panë edhe emrat e mbiemrat e këtyre dy të fundit.
Policia nuk dha ndonjë përgjigje për Kallxo kur u pyet se pse u lejua të ndodhte një gjë e tillë.
E për këtë lëshim të Policisë është kontaktuar edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), e cila ka thënë se do ta trajtojë këtë rast.
“Sipas fotografive që ju keni dërguar vërehet se është bërë publikim i të dhënave personale dhe këtë çështje Agjencia do ta trajtoj me Policinë e Kosovës bazuar në mandatin ligjor të saj, përkatësisht Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” – tha AIP-ja.
E pyetur nëse i lejohet ky veprim Policisë së Kosovës, Agjencia tha se Policia në ushtrimin e kompetencave dhe autorizimeve ligjore përpunon të dhëna personale për qëllime legjitime në kryerjen e detyrave të saj në përputhje me dispozitat e legjislacionit përkatës.
Ligji për Mbrojtjen e të dhënave personale përcakton të drejtat, përgjegjësitë, parimet dhe masat ndëshkuese lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së individit.
Përmes këtij Ligji përcaktohen përgjegjësitë e institucionit përgjegjës për mbikëqyrjen e legjitimitetit të përpunimit të të dhënave dhe qasjes në dokumente publike.