Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri, në bashkëpunim me inspektoratet komunale dhe institucionet tjera përgjegjëse, u ka bërë thirrje pronarëve dhe menaxherëve të subjekteve afariste, si kafiteri, restorante e bare, që të respektojnë oraret e përcaktuara për përdorimin e muzikës, siç parashihen me Ligjin për Rendin dhe Qetësinë Publike dhe aktet nënligjore në fuqi.
Policia ka theksuar se muzika dhe çdo aktivitet tjetër që prodhon zhurmë nuk duhet të shqetësojë rendin dhe qetësinë publike jashtë orarit ligjor. Çdo shkelje e këtyre dispozitave do të konsiderohet kundërvajtje dhe do të ndiqet sipas procedurave ligjore.
Sipas Ligjit Nr. 03/L-142, Neni 8, ndalohet shkaktimi i zhurmës së panevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet nga banorët përreth apo në rrugë, nga ora 22:00 deri në 07:00 gjatë ditëve të javës dhe nga ora 23:00 deri në 07:00 të shtunave dhe të dielave. Shkelësit dënohen me gjobë.
Policia ka apeluar që bizneset të bashkëpunojnë për ruajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, duke theksuar se respektimi i ligjit është detyrim dhe përgjegjësi e përbashkët.